Detaje të reja janë bërë publike lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të lënduar.
Viktima është identifikuar si Elmedina Lloga (26) nga Maqedonia e Veriut, e cila ndodhej si pasagjere në njërin nga automjetet e përfshira në aksident.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, kur një automjet i drejtuar nga G.H. nga Korça është përplasur me një automjet me targa të huaja, që drejtohej nga E.LL., shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 26-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesit e të dy automjeteve dhe dy pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Të lënduarit janë transportuar në spital, ku po marrin trajtim mjekësor. Sipas informacioneve të deritanishme, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
