Tre të arrestuar nga Gërçeci pas një rrëmbimi të dyshuar në Shkup

Policia e Shkupit ka arrestuar tre persona nga fshati Gërçeç i Komunës së Sarajit, të dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë dhune dhe privimi të paligjshëm nga liria.

Sipas informacioneve zyrtare, më 13 qershor 2026, rreth orës 14:00, janë privuar nga liria R.B. (45), M.B. (36) dhe B.B. (34), të gjithë banorë të fshatit Gërçeç.

Rasti ishte raportuar një ditë më parë nga D.E. (36) nga fshati Semenishtë. Ai ka deklaruar se më 12 qershor, rreth orës 14:00, në zonën e Karposhit, tre personat i kanë bllokuar rrugën me automjetet e tyre dhe e kanë detyruar të ndalojë veturën e tij.

Sipas kallëzimit, njëri prej të dyshuarve e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, ai është futur me forcë në njërën nga veturat dhe është dërguar fillimisht në një autopllac në Karposh.

Pas kësaj, 36-vjeçari ka deklaruar se është transportuar në një lokacion tjetër dhe më vonë është lënë në fshatin Shishevë të Shkupit.

Policia njofton se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ndaj të dyshuarve do të ndërmerren procedurat përkatëse ligjore.