23-vjeçarja britanike arrestohet pas një incidenti në Dubai

Një influencuese britanike e TikTok-ut, 23-vjeçarja Brooke George, po përballet me akuza të rënda në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi dyshohet se ka vrarë me thikë një 26-vjeçar britanik gjatë një konflikti në Dubai.

Sipas raportimeve, e reja kishte udhëtuar nga Britania për të takuar William Treeby, me të cilin ishte njohur përmes rrjeteve sociale. Ndërsa vizita e parë mes tyre thuhet se kishte kaluar pa probleme, Brooke pretendon se gjatë takimit të dytë sjellja e tij ndryshoi dhe ai u bë kontrollues dhe i dhunshëm.

23-vjeçarja deklaron se ishte sulmuar fizikisht dhe se, nga frika për jetën e saj, mori një thikë kuzhine dhe e goditi në vetëmbrojtje. Pas ngjarjes, ajo tentoi të largohej nga vendi, por u arrestua në aeroport teksa po përpiqej të kthehej në Britani.

Familja e saj ka reaguar me shqetësim, duke këmbëngulur se Brooke ishte viktimë e dhunës dhe po përpiqej të shpëtonte nga një situatë e rrezikshme. Ndërkohë, autoritetet në Dubai e kanë akuzuar për vrasje me paramendim dhe hetimet për rastin vazhdojnë.

Nëse shpallet fajtore, ajo mund të përballet me dënime shumë të rënda sipas ligjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.