Zjarr në shkollë, evakuohen të gjithë nxënësit dhe stafi

Një zjarr ka shpërthyer sot në objektin e Shkollës së Mesme Bujqësore në Tetovë, duke shkaktuar panik të përkohshëm tek nxënësit dhe stafi i shkollës.

Menjëherë pasi është vërejtur tymi, drejtuesit e shkollës kanë ndërmarrë masa të shpejta për evakuimin e të gjithë nxënësve dhe punonjësve nga objekti, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin brenda një kohe të shkurtër.

Fatmirësisht, sipas informacioneve të deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet kompetente po hetojnë shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, ndërsa situata tashmë është vënë plotësisht nën kontroll.