Pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave, në raundin e parë janë zgjedhur anëtarë të rinj të Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjyqtarja Valentina Sopjani dhe gjyqtari Agron Maxhuni.
Sipas njoftimit të KGJK-së, procesi i votimit është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregulloret në fuqi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqësorit.
Rezultatet e zgjedhjes do të certifikohen nga KGJK-ja, ndërsa pas certifikimit, anëtarët e zgjedhur do të nisin ushtrimin e mandatit të tyre pesëvjeçar duke filluar nga 8 korriku 2026.
Valentina Sopjani ushtron detyrën e gjyqtares në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile në Gjykata Themelore në Prishtinë. Ajo ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2012, ndërsa në vitin 2019 është emëruar gjyqtare në këtë institucion.
Ndërkohë, Agron Maxhuni është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë, duke mbajtur më herët edhe poste të rëndësishme në institucione shtetërore.
