Forcat policore nga Maqedonia rikthehen në Shqipëri për sezonin veror

Policia e Shtetit në Shqipëri do të forcojë masat e sigurisë gjatë sezonit veror, duke shtuar praninë e efektivëve në zonat turistike dhe duke hapur stacione të përkohshme policore në disa prej destinacioneve më të frekuentuara të vendit.

Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike, Dimitrak Ziu, njoftoi se stacione të tilla do të vendosen në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalzit dhe Ksamil. Ai theksoi se vëmendja nuk do të përqendrohet vetëm në turizmin bregdetar, por edhe në zonat malore që tërheqin një numër të madh vizitorësh.

Për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt për turistët vendas dhe të huaj, autoritetet shqiptare do të intensifikojnë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Sipas Ziut, ky bashkëpunim do të përfshijë Kosovën, Malin e Zi, Italinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Punonjës të Policisë së Shtetit do të angazhohen në patrulla të përbashkëta jashtë vendit, ndërsa njësi policore nga këto shtete do të patrullojnë gjithashtu në Shqipëri gjatë sezonit turistik”, deklaroi ai.

Ndërkohë, në akset rrugore do të përdoren sisteme radarike dhe teknologji bashkëkohore për monitorimin e trafikut, me qëllim parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe uljen e rrezikut të aksidenteve gjatë muajve të verës.