Mimoza Ahmeti është kthyer në një nga personazhet më të komentuara dhe më të dashura të Ferma VIP, por së fundmi është zbuluar një prapaskenë e panjohur nga eksperienca e saj në Big Brother Albania.
Gjatë rubrikës “Dalina’s Update” në Andale Media, ish-autorja e “Big Brother Albania 8”, Zefina Hasani, tregoi se poetja u largua nga roli i opinionistes vetëm pas tre puntatash për shkak të presionit nga komentet në rrjetet sociale.
“E kemi marrë opinioniste te ‘Big Brother’-i i dytë që bëra, por ndenji vetëm 3 puntata, sepse u frikësua shumë nga komentet në Facebook”, u shpreh ajo.
Sipas Zefinës, situata u rëndua pas një debati të fortë që Moza pati me një nga banorët e atij edicioni, gjë që solli reagime të shumta dhe komente të ashpra në rrjet.
Edhe pse stafi i produksionit tentoi ta bindte të vazhdonte, vendimi i saj për t’u larguar ishte i prerë.
Në diskutim u theksua gjithashtu ndjeshmëria e lartë e Mimoza Ahmetit ndaj mënyrës se si perceptohet nga publiku, çka sipas Zefinës ka qenë një nga arsyet kryesore që ajo nuk e përballoi dot trysninë virtuale.
