Zanfina Ismaili flet për jetën private dhe i jep fund shpresave për rikthim në muzikë

Edhe pse prej vitesh është tërhequr nga skena muzikore, Zanfina Ismaili vazhdon të mbetet një nga emrat më të ndjekur në rrjetet sociale, ku shpesh ndan mendime dhe momente nga jeta e saj personale.

Së fundmi, ajo ka zhvilluar një bashkëbisedim me ndjekësit në Instagram, duke iu përgjigjur pyetjeve që lidhen me jetën private, planet për të ardhmen dhe karrierën artistike.

E pyetur nëse e sheh veten duke krijuar familje, Zanfina zgjodhi të japë një përgjigje indirekte përmes një mesazhi frymëzues, ku theksohej se të qëndrosh beqar kërkon forcë dhe se nuk ia vlen të bësh kompromise vetëm për të mos qenë vetëm. Me këtë, ajo la të kuptohet se zgjedh të jetë e lumtur me veten dhe të mos nxitojë në vendime të rëndësishme.

Megjithatë, artistja nuk e humbi sensin e humorit, duke shtuar me shaka se ende është në pritje që “hajmalia të bëjë efekt”.

Ndërkohë, një tjetër pyetje që tërhoqi vëmendje ishte ajo për një rikthim të mundshëm në muzikë. Për këtë, Zanfina ishte e prerë, duke bërë të qartë se kapitulli i saj në muzikë është mbyllur prej kohësh.

“Me muzikën e kam përfunduar që në vitin 2017”, u shpreh ajo, duke konfirmuar edhe një herë se nuk ka plane për t’u rikthyer në skenën muzikore.