Xhuli Nura u përgjigjet kritikëve: “Më mirë vetëm se në një familje toksike”

Juliana Nura ka reaguar pas komenteve dhe kritikave që mori për vendimin e saj për t’u bërë nënë e vetme përmes IVF-së.

Në një intervistë për “Kosova Live”, ajo tha se një fëmijë ka nevojë mbi të gjitha për dashuri, përkujdesje dhe një ambient të shëndetshëm për t’u rritur.

“E vetmja gjë që i nevojitet fëmijës është një fëmijëri e lumtur dhe një nënë e lumtur. Nuk po them që babai nuk është i rëndësishëm, por jo gjithmonë prindi biologjik është prindi ideal”, u shpreh ajo.

Xhuli theksoi se, sipas saj, është më mirë që një fëmijë të rritet larg një ambienti toksik sesa në një familje ku ka konflikte, dhunë apo trauma.

Ajo iu përgjigj edhe kritikave që e cilësojnë zgjedhjen e saj si egoiste, duke thënë se egoizmi nuk është t’i ofrosh një fëmije dashuri dhe kushte të mira për jetesë.

“Egoizmi është kur krijon një familje dhe e lë fëmijën pas dore. Nuk është kur bën çmos që ai të rritet me të gjitha të mirat”, deklaroi Xhuli.