VLEN: 9 maji sjell bashkimin e madh në Kongresin e Unitetit

Koalicioni VLEN ka njoftuar se më 9 maj, në Ditën e Evropës, do të mbajë “Kongresin e Bashkimit”, ku pesë subjektet politike që përbëjnë këtë bllok pritet të shkrihen në një forcë të vetme politike.

Sipas komunikatës së VLEN, ky proces cilësohet si një hap i pjekur politik që do të rezultojë me një parti të unifikuar, me emër, drejtim dhe mision të përbashkët. Në kongres pritet të marrin pjesë rreth 850 delegatë, të cilët do ta formalizojnë këtë bashkim.

“E ardhmja u përket atyre që dinë të bashkohen rreth vlerave të përbashkëta. Këtë po e dëshmon VLEN.

Më 9 Maj, në Ditën e Evropës, VLEN mban Kongresin e Bashkimit si një proces i pjekur politik dhe do të dalë prej tij si një forcë e vetme, me një emër, drejtim dhe mision. Pesë subjekte politike bëhen një trup i vetëm, një forcë që në thelb ka sundimin e ligjit, zero tolerancë ndaj korrupsionit, gjyqësor të pavarur, rrugën evropiane, partneritetin me NATO-n dhe mbrojtjen e familjes, traditës, kulturës dhe identitetit.

Në Kongresin e Bashkimit, 850 delegatë do ta vulosin këtë rrugë. Nga bashkëpunimi në bashkim, nga koordinimi në forcë të përbashkët, nga premtimi para shqiptarëve në realitet politik.

Ata që janë mësuar të mbijetojnë nga përçarjet, sot s’janë rehat. Pesë parti po bëhen një dhe kjo ua prish hesapin të gjithëve që kanë jetuar me shpresën se VLEN nuk bëhet. Ja që erdhi dita kur bashkimi po bëhet fakt, ndërsa manipulimi bëhet i pamundur.

Nëntë maji po afron dhe bashkë me të po vjen një VLEN i fuqishëm, i madh dhe i shtrirë nga Likova e deri në Strugë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *