Vendim në Tetovë, çmimi për mbeturinat rritet me 20%

Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar një çmimore të re për mbeturinat, duke votuar pro rritjes së tarifave përmes kërkesës së kompanisë Saubermacher.

Sipas vendimit, qytetarët do të paguajnë 3.8 denarë për metër katror (pa TVSH), nga 3.2 denarë sa ishte më parë.

“Kemi pasur një kërkesë për një çmimore të re nga ana e ndërmarrjes Saubermacher. Këtë propozim, si këshilltarë të VLEN-it dhe si pjesë e shumicës, nuk e kemi pranuar në formën fillestare. Ne propozuam në Këshill një çmimore të re ku kemi ndryshuar shifrat e ofruara nga kompania. Me këtë propozim, ulim çmimin që kërkonte ‘Saubermacher’ për qytetarët dhe bizneset, ndërsa e rrisim për objektet e lojërave të fatit. Konkretisht, çmimin për amvisëritë në mjedis urban e zvogëluam nga 4.2 denarë sa kërkohej, në 3.8 denarë”, tha Albi Qamili.

“Në bazë të amendamenteve që iu dorëzuan këshilltarëve, çmimi i ri do të jetë 3.8 denarë pa llogaritur TVSH-në. Nëse llogaritet edhe TVSH-ja, shifra shkon në rreth 3.99 denarë, që i bie diku 20% më shtrenjtë se sa kanë paguar qytetarët deri tash. Ne kishim propozimet tona për një çmim fiks: 600 denarë për shtëpitë dhe 300 denarë për banesat në nivel të gjithë komunës, pasi metodologjia me metër katror është e gabuar. Me këtë rritje prej 20%, ai që ka paguar 1000 denarë, tash do të paguajë 1200 denarë”, tha Agron Arifi.

“Sipas analizës sonë, ngritja e çmimit fillimisht parashihej rreth 30%. Ne si AKI ishim në mënyrë kategorike kundër dhe kërkuam që pika të tërhiqet nga rendi i ditës, por kjo nuk u pranua nga shumica. Gjatë debatit, këshilltarët e VLEN-it dhanë një propozim tjetër, ku sipas përllogaritjeve të fundit, çmimi për grumbullimin e mbeturinave sërish rritet për 20%”, u shpreh Berat Murati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *