Interi “shkatërron” S.S. Lazio në Olimpico, zgjat serinë pa humbje

Interi ka regjistruar një fitore bindëse 3-0 ndaj S.S. Lazio, duke vazhduar dominimin ndaj bardhekaltërve me nëntë ndeshje radhazi pa humbje.

Zikaltrit e nisën vrullshëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 6-të me golin e Lautaro Martinez, pas asistimit nga Marcus Thuram.

Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu kontrolloi lojën gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në minutën e 39-të Petar Sucic realizoi golin e dytë pas një aksioni të ndërtuar nga Martinez.

Situata për Lazion u komplikua edhe më shumë në pjesën e dytë, kur Alessio Romagnoli u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it.

Golin e tretë dhe të fundit e shënoi Henrikh Mkhitaryan në minutën e 76-të, duke vulosur triumfin e zikaltërve.

Me këtë sukses, Interi vazhdon formën fantastike para finales së ardhshme të kupës, ndërsa Lazio regjistroi humbjen e dytë në 11 ndeshjet e fundit.