Turqi, operacion i gjerë kundër LGBTQ+, arrestohen dhjetëra persona

Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion në disa pjesë të vendit, ku janë ndaluar dhjetëra persona dhe janë kryer kontrolle në organizata të komunitetit LGBTQ+.

Operacioni, i zhvilluar në kuadër të fushatës së quajtur “Familja ime është e sigurt”, është paraqitur nga autoritetet si pjesë e masave kundër aktiviteteve të paligjshme dhe në funksion të mbrojtjes së familjes dhe fëmijëve.

Sipas Prokurorisë së Stambollit, 26 persona janë arrestuar, ndërsa janë kontrolluar zyrat e gjashtë organizatave LGBTQ+. Operacionet janë shtrirë në 12 provinca, ku gjatë kontrolleve autoritetet raportojnë se kanë sekuestruar drogë, pajisje elektronike, alkool të kontrabanduar dhe një armë zjarri.

Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gurlek, ka dhënë një bilanc më të gjerë, duke thënë se hetimet përfshijnë 162 persona të dyshuar, nëntë organizata dhe 13 biznese në 15 provinca.

Nga ana tjetër, organizata LGBTQ+ Kaos GL ka deklaruar se të paktën 50 aktivistë janë ndaluar, ndërsa më shumë se 10 prej tyre janë arrestuar gjatë kontrolleve në banesat e tyre. Sipas organizatës, janë kontrolluar edhe zyrat e saj dhe janë bllokuar dhjetëra faqe interneti dhe llogari në rrjetet sociale.

Në Stamboll, kontrollet kanë prekur edhe disa bare dhe ambiente të frekuentuara nga komuniteti LGBTQ+, përfshirë një klub nate të konsideruar si hapësirë e sigurt për komunitetin.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar operacionin, duke e cilësuar atë si pjesë të një presioni më të gjerë ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe shoqërisë civile në Turqi.

Ngjarjet vijnë në një periudhë kur aktivitetet LGBTQ+ në vend, përfshirë Paradën e Krenarisë në Stamboll, janë prej vitesh objekt i kufizimeve dhe ndërhyrjeve nga autoritetet.