Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së një ministreje të Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Ahmeti e cilësoi deklaratën si tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme, duke theksuar se ajo fyen viktimat e luftës dhe pasqyron një mentalitet të frymëzuar nga politikat kriminale të regjimit të Millosheviqit.
Sipas tij, të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, pas krimeve dhe masakrave të dokumentuara në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe në kundërshtim me vlerat demokratike dhe evropiane.
Ahmeti shtoi se mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI.
Në reagimin e tij, ai theksoi se historia e ka dëshmuar se ideologjitë e urrejtjes dështojnë, ndërsa kujtoi se populli i Kosovës iu kundërvu politikave të regjimit të Millosheviqit përmes rezistencës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke nënvizuar se liria dhe e drejta triumfojnë gjithmonë mbi dhunën.
