Aksident tragjik në Slloveni, humbin jetën tre shtetas të RMV-së

Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur dje në autostradën pranë Unecit, në Slloveni.

Sipas informacioneve fillestare, aksidenti ka ndodhur pasi një kamion, për shkak të një defekti, kishte ndaluar në një zonë të parashikuar për ndalim. Për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, automobili me pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios së kamionit.

Mjeku i emergjencës ka konfirmuar vdekjen e tre personave në vendin e ngjarjes. Një nga të lënduarit, i cili ka marrë lëndime të rënda, është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi është dërguar për trajtim me autoambulancë.

Aksidenti është raportuar rreth orës 16:28. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë disa patrulla policore, ndërsa kanë intervenuar edhe ekipet e zjarrfikësve.

Në vendin e aksidentit është kryer këqyrje nga një prokuror shtetëror dhe një gjyqtar hetues. Autoritetet sllovene pritet të japin më shumë detaje pasi të përfundojë hetimi për rrethanat dhe shkakun e aksidentit.