Sulmohet 28-vjeçari dhe kërcënohet familja e tij, arrestohen dy persona

Një 28-vjeçar nga Shkupi është sulmuar fizikisht dhe më pas është kërcënuar së bashku me familjen e tij, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme lidhur me një borxh.

Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 17 gusht në territorin e Komunës së Aerodromit. Për rastin janë përfshirë tre persona nga Shkupi, të dyshuar për veprat penale “zhvatje” dhe “dhunë”.

Policia ka arrestuar dy nga të dyshuarit, V.A. (26) dhe D.A. (27), ndërsa për personin e tretë, S.S., është lëshuar urdhër qendror për kërkim.

Gjatë hetimeve janë siguruar edhe materiale që lidhen me rastin, ndërsa dy të arrestuarit janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Gjykata ka caktuar 30 ditë arrest shtëpiak për V.A., ndërsa ndaj D.A. janë vendosur masa paraprake. Për S.S. është caktuar paraburgim në mungesë.