Vonesa dhe anulime masive në Cyrih pas motit ekstrem

Stuhitë e fuqishme që kanë goditur Zvicrën kanë shkaktuar ndërprerje serioze në operacionet e Aeroportit të Cyrihut, duke çuar në anulime, vonesa dhe devijime të shumta fluturimesh.

Sipas autoriteteve të aeroportit, moti i rënduar me reshje intensive, rrufe dhe dukshmëri të ulët ka detyruar kontrollin ajror të kufizojë përkohësisht aktivitetin e fluturimeve për arsye sigurie.

Më shumë se 30 avionë në rrugë drejt Cyrihut janë devijuar në aeroporte të tjera si Shtutgart, Gjenevë, Bazel dhe Lion, pasi ulja në Cyrih nuk ishte e mundur.

Si pasojë e situatës, rreth 70 fluturime janë anuluar deri në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa shumë pasagjerë janë përballur me vonesa të gjata dhe humbje të lidhjeve ajrore.

Për të lehtësuar situatën, autoritetet kanë lejuar që disa fluturime të operojnë edhe jashtë orarit të zakonshëm të aeroportit.

Udhëtarëve u është bërë thirrje të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimeve para nisjes, pasi situata mbetet e paqëndrueshme.

Stuhitë kanë shkaktuar probleme edhe në zona të tjera të vendit, duke sjellë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërhyrje të shumta të shërbimeve emergjente.