Ahmeti mbledh Kryesinë e BDI-së, diskutohet vendimi i Hagës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka mbledhur sot Kryesinë Qendrore të partisë, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe forcimi i strukturave dhe kapaciteteve organizative të BDI-së.

Një pjesë e veçantë e diskutimit i është kushtuar vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të shpallur më 16 shtator 2026, lidhur me ish-krerët e UÇK-së.

Në deklaratën e saj, BDI shprehet se në këtë periudhë duhet të rikujtohet mënyra se si nisi procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar raportit të Dick Marty-t dhe pretendimeve për trafikim organesh.

BDI pretendon se këto akuza nuk janë dëshmuar dhe e cilëson procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit si të sajuar.

Partia vlerëson se lufta e UÇK-së duhet të shihet në kontekstin e luftës për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, ndërsa kritikon atë që e konsideron si përpjekje për të ndryshuar interpretimin e historisë së saj.

Në deklaratë, BDI ka komentuar edhe protestat e zhvilluara pas shpalljes së aktgjykimit, duke i cilësuar ato si një formë legjitime të shprehjes qytetare në një shoqëri demokratike, për sa kohë që zhvillohen në mënyrë paqësore dhe jo të dhunshme.

Në fund, BDI ka bërë thirrje që, sipas saj, historia e luftës së UÇK-së të mos tjetërsohet.