Edhe pas gati një muaji nga protesta e studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ende nuk ka zgjidhje konkrete nga institucionet.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, kritikon mungesën e transparencës dhe thotë se deri tani kanë marrë vetëm premtime, pa asnjë hap konkret.
“Bëhen gati dy vite që kemi dorëzuar kërkesën e parë për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe, gati katër muaj që kur e kemi dorëzuar peticionin dhe pak ditë bëhen gati një muaj që e kemi pasur protestën e parë, dhe përveç premtimeve diçka konkrete nuk kemi parë…”, tha ai, duke paralajmëruar edhe protesta të reja.
Nga qeveria bëjnë të ditur se procesi është në vijim dhe se detajet do të publikohen pas finalizimit.
Ndërkohë, profesori Mersim Maksuti vlerëson se nuk ka nevojë për komisione, pasi sipas tij ato vetëm po e zvarrisin procesin.
