Kreu i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, deklaroi se nuk ka hequr dorë nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), duke theksuar se procesi gjyqësor lidhur me subjektin politik ende vazhdon dhe se, sipas tij, është Arben Taravari ai që duhet të tërhiqet.
Në një intervistë për Alsat, Sela tha se edhe në rast se gjykata vendos që vulat e partisë t’i kalojnë atij, subjekti që ai drejton do të vazhdojë të funksionojë me emrin e ri “Lidhja Shqiptare”.
Sipas Selës, ndryshimi i emrit erdhi pas zhvillimeve të brendshme në ASH, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin dhe dinjitetin e partisë para elektoratit shqiptar.
“Në statutin e partisë e kishim të paraparë këtë situatë. Kur përbërja paraprake nuk i dorëzon vulat, Kuvendi obligohet të regjistrojë subjekt të ri politik dhe konform kësaj kemi regjistruar Lidhjen Shqiptare”, deklaroi Sela.
Ai shtoi se që nga gushti i vitit të kaluar, të gjitha strukturat e Aleancës për Shqiptarët që e mbështesin atë janë integruar në Lidhjen Shqiptare.
“Ne vlerësojmë se jemi në atë që është e jona, edhe ASH. Nuk kemi hequr dorë, procesi gjyqësor vazhdon. Ai që duhet të heqë dorë është Arben Taravari, sepse nuk është e lehtë të mbash gjënë e huaj”, u shpreh Sela.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur çështja e legjitimitetit dhe përfaqësimit të Aleancës për Shqiptarët vazhdon të jetë pjesë e debatit politik në vend.
