Shkupi intensifikon luftën kundër mushkonjave, priten edhe spërkatje nga toka

Pas ankesave të qytetarëve për shtimin e mushkonjave dhe insekteve të tjera gjatë periudhës së verës, Qyteti i Shkupit ka sqaruar se dezinsektimi është në kompetencën e tij dhe se deri më tani janë ndërmarrë disa masa për kontrollin e situatës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë dy muajve të fundit janë realizuar tre trajtime ajrore kundër mushkonjave, të cilat kanë përfshirë si eliminimin e larvave, ashtu edhe trajtimin e mushkonjave të rritura.

Autoritetet bëjnë të ditur se, në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore, në ditët e ardhshme do të realizohen edhe trajtime shtesë nga toka, me qëllim zvogëlimin e numrit të mushkonjave në territorin e qytetit.

“Dezinsektimi, pra spërkatja kundër mushkonjave, është nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit dhe deri më tani në dy muajt e fundit janë kryer tre spërkatje kundër mushkonjave larvicide dhe kundër mushkonjave të rritura, të realizuara nga ajri. Gjatë ditëve të ardhshme po bëhen përgatitje për të kryer spërkatje në terren nga toka kundër mushkonjave”, thuhet në njoftim.

Nga Qyteti i Shkupit shtojnë se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa zyrtare nga ndonjë vendbanim specifik për praninë e shtuar të insekteve, por theksojnë se mbeten në dispozicion të qytetarëve dhe do të bashkëpunojnë me institucionet kompetente shëndetësore, përfshirë Qendrën për Shëndet Publik – Shkup, nëse paraqitet nevoja për masa shtesë.

Masat kundër mushkonjave pritet të vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.