AFC Bournemouth ka pezulluar mbrojtësin spanjoll Alex Jimenez, ndërsa klubi po heton disa postime dhe mesazhe kontroverse që po qarkullojnë në rrjetet sociale.
Si pasojë, 21-vjeçari nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e së shtunës në Premier League ndaj Fulham FC.
Në deklaratën zyrtare, Bournemouth bëri të ditur se është në dijeni të situatës dhe se hetimet janë në zhvillim.
“Klubi e kupton seriozitetin e situatës dhe aktualisht po hetohet. Si rezultat, Alex nuk do të jetë në skuadër për ndeshjen kundër Fulhamit”, thuhet në reagim.
Sipas raportimeve, Jimenez dyshohet se i ka dërguar mesazhe një vajze 15-vjeçare. Në bisedat që po qarkullojnë online, futbollisti pretendohet të ketë shkruar se “i pëlqejnë vajzat më të vogla” dhe se “nuk ka qenë kurrë me një 15-vjeçare”.
Autoritetet dhe klubi po verifikojnë autenticitetin e mesazheve dhe nëse ato janë dërguar vërtet nga futbollisti.
Jimenez iu bashkua Bournemouthit nga AC Milan verën e kaluar fillimisht në huazim, ndërsa në shkurt klubi anglez bleu kartonin e tij dhe ai firmosi kontratë deri në vitin 2031. Gjatë këtij sezoni ai ka zhvilluar 32 ndeshje dhe ka shënuar një gol ndaj Liverpool FC.

