SHBA firmos marrëveshjen për ambasadën e përhershme në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e ambasadës së tyre të përhershme në Jerusalem, një hap që autoritetet izraelite e cilësuan si një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni zyrtare, ku ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, tha se projekti pasqyron angazhimin e SHBA-së ndaj vendimit për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ndërtimi i ambasadës së re do të realizohet në kompleksin “Allenby”, në pjesën jugore të Jerusalemit, ndërsa shërbimet diplomatike amerikane aktualisht janë të shpërndara në disa lokacione brenda qytetit.

Vendimi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit u mor gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në vitin 2017, kur administrata amerikane zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez. Izraeli e konsideron qytetin kryeqytetin e tij të pandarë, ndërsa palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm. Shumë vende dhe organizata ndërkombëtare vazhdojnë të mbështesin që statusi përfundimtar i qytetit të përcaktohet përmes negociatave.