Reagimi i Taulant Ballës për Tetovën: “Jam në krah të shqiptarëve”

Taulant Balla ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tetovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që shfuqizoi vendimin e Komunës së Tetovës të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve dhe shesheve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shprehu mbështetjen e tij për protestuesit, duke deklaruar: “Jam me Tetovën, jam me shqiptarët e Maqedonisë.”

Ai vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, megjithëse juridikisht është i formës së prerë, sipas tij ka karakter politik dhe bie në kundërshtim me parimet e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi ka nxitur reagime në opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Tetovë janë zhvilluar protesta paqësore kundër ndryshimeve në emërtimet e hapësirave publike, përfshirë rikthimin e emrit të sheshit “Iliria” në “Marshall Tito”.