Ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka reaguar publikisht duke ngritur shqetësime për, siç thotë ai, trajtim të pabarabartë të ish-funksionarëve nga institucionet dhe skena politike.
Në reagimin e tij, Merko thotë se ka vërejtur që për disa raste të ish-zyrtarëve janë ngritur shqetësime për presion politik, ndërsa sipas tij, në raste të tjera nuk është vepruar njësoj.
Ai thekson se për më shumë se dy dekada ka qenë i angazhuar në jetën publike dhe politike, veçanërisht në zonën zgjedhore 5, por shton se kur është përballur me procese gjyqësore, nuk ka pasur mbështetjen e njëjtë politike që, sipas tij, kanë pasur të tjerët.
“U krijua një distancim i hapur, deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat,” citohet të ketë thënë ai.
Merko shprehet gjithashtu se proceset ndaj tij janë perceptuar si të ndikuara politikisht dhe jo të bazuara në korrupsion të provuar, por në vendime administrative dhe çështje të natyrës institucionale.
Në fund të deklaratës, ai thekson se drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe shpreh solidaritet me ish-funksionarë të tjerë që, sipas tij, përballen me situata të ngjashme./tetovasot/
