Greqia po përgatit rregulla të reja për përdorimin e skuterëve elektrikë, të cilat parashohin ndalim të plotë për personat nën moshën 18-vjeçare, raportojnë mediat greke.
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, deklaroi për televizionin SKAI TV se autoritetet po hartojnë një kuadër të ri ligjor për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas tij, masat do të përfshijnë edhe sigurim të detyrueshëm për përdoruesit e skuterëve elektrikë, përfshirë edhe ata me qira, për të mundësuar kompensimin e dëmeve në rast aksidentesh dhe lëndimesh, raportojnë mediat.
Po ashtu, rregulloret e reja pritet të sjellin dënime më të ashpra për kompanitë që shesin skuterë që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ose tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë.
