Një operacion i gjerë policor ka tronditur futbollin brazilian këtë të hënë, pasi autoritetet kanë zhvilluar kontrolle në disa lokacione në kuadër të hetimeve ndaj një organizate të dyshuar për lidhje me trafikun e drogës dhe armëve.
Mes personave nën hetim është edhe David Corrêa da Fonseca, sulmues i Vasco da Gamës, i njohur me nofkën “DVD”.
Sipas “O Globo”, futbollisti ishte një nga objektivat e operacionit. Agjentët kanë kontrolluar banesën e tij në Rio de Janeiro, ku kanë sekuestruar telefona celularë dhe dokumente që mund të jenë të rëndësishme për hetimin.
Operacioni ka prekur edhe klubin Vasco da Gama, pasi Policia Civile ka kryer kontroll në qendrën stërvitore të skuadrës në Rio de Janeiro.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur lidhjet dhe rolin e personave të përfshirë në organizatën e dyshuar.
