Angjushev: Me bateri, Maqedonia mund të përfitojë më shumë nga energjia elektrike

Maqedonia e Veriut mund ta shfrytëzojë dukshëm më mirë prodhimin e energjisë elektrike nëse investon në kohë në sisteme baterish për ruajtjen e energjisë.

Këtë e ka deklaruar ish-zëvendëskryeministri dhe kryetari i Shoqatës Maqedonase të Energjisë, Koço Angjushev, në një intervistë për “Bloomberg Adria”.

Sipas tij, energjia elektrike mund të ruhet në periudhat kur çmimet janë më të ulëta dhe të përdoret ose eksportohet kur kërkesa dhe çmimet në treg janë më të larta.

“Bullgaria ka bërë shumë mirë në atë fushë dhe ka përfitime serioze financiare. Maqedonia mund të bëjë të njëjtën gjë, duhet ta shohë këtë mundësi, të mos e humbasë dhe të ndërhyjë shpejt në këtë fushë”, ka thënë Angjushev.

Nevoja për kapacitete të ruajtjes së energjisë po rritet paralelisht me shtimin e prodhimit nga centralet fotovoltaike. Gjatë orëve kur panelet diellore prodhojnë më shumë energji, në treg mund të krijohen teprica dhe çmimet mund të bien.

Në vend që energjia e tepërt të shitet me çmime të ulëta, ajo mund të ruhet në bateri dhe të përdoret më vonë, kur kërkesa është më e lartë.

Angjushev thekson se sistemet e baterive nuk do të ishin të dobishme vetëm për investitorët në energjinë e rinovueshme, por do të ndihmonin edhe në balancimin e sistemit elektroenergjetik dhe uljen e kostove të balancimit.