Përmbyset vetura në autostradën Shkup–Veles, lëndohen tre vajza

Një aksident trafiku ka ndodhur në autostradën Shkup-Veles, ku tre vajza kanë mbetur të lënduara pasi një veturë është përmbysur në rrugë.

Sipas njoftimit të MPB-së, rreth orës 14:20 policia ka marrë informacion se në urën pas stacionit të pagesës së Sopoti një automjet “Opel” i drejtuar nga 19-vjeçarja L.K. nga Veles është përmbysur.

Në aksident kanë mbetur të lënduara drejtuesja e automjetit dhe dy bashkudhëtaret E.Sh. (20) dhe T.T. (17), të dyja nga Velesi.

Të lënduarat janë dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit, ku u janë konstatuar lëndime trupore.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori publik, ndërsa ekipet e SPB Veles kanë kryer këqyrjen për zbardhjen e plotë të rastit.