Partitë fajësojnë njëra-tjetrën pas humbjes së 4,2 milionë eurove nga BE-ja

Afati për miratimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend ka skaduar, ndërsa Maqedonia e Veriut ka humbur 4.2 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian, pasi ligji nuk u miratua brenda afatit të paraparë në Agjendën Reformuese.

Mosmarrëveshjet mes partive u përqendruan kryesisht te çështja e votimit të diasporës, për të cilën nuk u arrit konsensus.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në, BDI-në dhe Levicën se bllokuan miratimin e Kodit Zgjedhor për shkak të interesave politike.

“Nuk u shfrytëzua mundësia për konsensus, edhe pse Qeveria ishte e gatshme të pranonte marrëveshjen e partive. Frika nga humbja në zgjedhje i bashkoi këto parti për ta bllokuar ligjin”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.

Nga VLEN theksojnë se Kodi Zgjedhor kërkon marrëveshje të gjerë politike dhe se mbeten të përkushtuar për dialog. Sipas tyre, një nga kërkesat kryesore është mundësimi i votimit të diasporës në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, LSDM vlerëson se humbja e 4.2 milionë eurove është vetëm një pjesë e dëmit, duke akuzuar Qeverinë se me politikat e saj po pengon integrimin evropian dhe po i kushton vendit shumë më tepër fonde dhe mundësi zhvillimi.