Poetja e njohur, Mimoza Ahmeti, ka folur hapur për jetën e saj personale, sfidat e martesës dhe mëmësisë, gjatë një interviste në emisionin “QUO VADIS”.
Fituesja e “Ferma VIP 3” tregoi se vitet e martesës kanë qenë shumë të vështira dhe pranoi se nuk kishte planifikuar të bëhej nënë në një moshë kaq të re.
“20 e ca vjet martesë, që kanë qenë shumë të vështira… Fëmijët erdhën njëri pas tjetrit. Fëmijë, që do ta pranoj hapur, nuk e kisha programuar që doja të bëhesha nënë aq shpejt. Unë isha tërësisht në lartësinë e krijimtarisë…”, u shpreh Ahmeti.
Ajo foli edhe për periudhën pas divorcit, duke treguar se vajzat e saj e kishin të vështirë ta pranonin dëshirën e saj për të nisur një jetë të re.
“Me shumë vështirësi dhe vonë, fëmijët mezi e kanë pranuar pretendimin tim për të filluar një jetë nga fillimi. Është e pafajshme nga ana e tyre, sepse ata kanë parë ‘nënën’ dhe atë duan të shohin deri në fund”, tha poetja.
Në fund të rrëfimit, Mimoza Ahmeti zbuloi edhe fjalët që, sipas saj, ia kishte thënë ish-bashkëshorti pas ndarjes:
“Ti asnjëherë nuk i harrove qëllimet e tua, krijimtarinë tënde.”
Kështu, ajo theksoi se, pavarësisht sfidave të jetës familjare, nuk hoqi dorë asnjëherë nga ëndrrat, krijimtaria dhe rrugëtimi i saj profesional.
