Mickoski me deklaratë të fortë: “Nuk bëj pazar me identitetin”

Me një sërë aktivitetesh, vendi shënoi 9 Majin – Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin, nën sloganin “Fitore, parime dhe vlera”. Në kuadër të ceremonive, përfaqësues të institucioneve shtetërore vendosën lule pranë monumentit “Çlirimtarët e Shkupit” në oborrin e Qeverisë.

Në këtë aktivitet, Hristijan Mickoski bëri thirrje për unitet rreth parimeve dhe vlerave evropiane, duke theksuar se Evropa nuk është vetëm gjeografi, por një sistem vlerash.

Ai ritheksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet e vetmja rrugë strategjike për vendin, por paralajmëroi se procesi nuk duhet të shoqërohet me kompromise që prekin identitetin.

“Evropa është rruga jonë e vetme… por tregti me identitetin dhe dinjitetin tonë nuk do të bëj”, u shpreh Hristijan Mickoski.

Ai shtoi se vendi është përballur me pengesa dhe zhgënjime në procesin e integrimit, të cilat sipas tij kanë krijuar frustrim tek qytetarët për shkak të mungesës së qasjeve të drejta dhe parimore.

Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, që nuk do të krijojnë barrë për brezat e ardhshëm, por do të mundësojnë progres real drejt Bashkimit Evropian.