Në fshatin Dobrosht të Komunës së Tearcës kanë nisur punimet për shtrimin e një rruge lokale me asfalt, si pjesë e investimeve të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë.
Punimet po realizohen edhe gjatë fundjavës, ndërsa kryetari i komunës, Daut Memishi, ka bërë të ditur se projektet infrastrukturore po vazhdojnë pa ndërprerje me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Sipas tij, ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe në rritjen e sigurisë për qytetarët që përdorin këtë segment rrugor.
“Edhe gjatë fundjavës po vazhdojmë me përkushtim realizimin e projekteve infrastrukturore. Në Dobrosht kemi nisur asfaltimin e një rruge lokale, e cila do të përmirësojë dukshëm lëvizjen dhe cilësinë e jetës së banorëve”, ka deklaruar Memishi.
Ai theksoi se investimet në infrastrukturën rrugore mbeten ndër prioritetet kryesore të komunës, me fokus të veçantë në zhvillimin e vendbanimeve rurale dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
“Punë, përkushtim dhe rezultate”, ka shtuar kryetari i Komunës së Tearcës, duke paralajmëruar vazhdimin e projekteve të ngjashme edhe në periudhën në vijim.
