Masa të reja në shëndetësi, evidenca e pranisë do të bëhet biometrikisht

Edhe pse numri i tyre është zvogëluar, ende ka punonjës në Institutin e Shëndetit Publik që kanë marrë paga pa u paraqitur në vendin e punës. Sipas autoriteteve, kartelat e tyre elektronike janë përdorur nga persona të tjerë, duke vështirësuar marrjen e masave disiplinore.

Drejtoresha e institutit, Maria Andonovska, deklaroi se shumica e personave që nuk paraqiteshin në punë kanë dhënë dorëheqje pasi u është kërkuar të punojnë me orar të plotë, ndërsa aktualisht kanë mbetur vetëm dy ose tre raste të tilla.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se ligji duhet të zbatohet dhe se mungesa e pajustifikuar për tre ditë radhazi është bazë për largim nga puna.

Si zgjidhje për parandalimin e rasteve të ngjashme, Ministria planifikon vendosjen e aparateve për identifikim me gjurmë gishti në klinika dhe institucione shëndetësore, me qëllim rritjen e kontrollit mbi praninë e punonjësve.