“Babi, ti je faqebardhë” – djali i Jakup Krasniqit me mesazh prekës pas vizitës në Hagë

Altin Krasniqi, djali i ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas vizitës tek i ati në Hagë, ku sot u shpall dënimi me 25 vite burg.

Përmes një mesazhi emocional, Altini ka përcjellë fjalët dhe qëndrimin e babait të tij pas vendimit të Gjykatës Speciale.

Në reagimin e tij, ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së mbeten të fortë dhe me kokën lart, duke e lidhur qëndrimin e tyre me luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Reagimi i plotë i Altin Krasniqit:

“Sapo përfundova vizitën me babin.

Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008.

Ky është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës.

UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë.”