LSDM: Qytetarët po e paguajnë çmimin e politikave ekonomike të Mickoskit

Nga opozitarja LSDM thonë se qytetarët po i paguajnë shtrenjtë, siç e quajnë ata, “përrallat” e kryeministrit Hristijan Mickoski për gjendjen ekonomike në vend.

Sipas LSDM-së, realiteti i përditshëm i qytetarëve tregon një situatë krejt tjetër nga deklaratat për një ekonomi ndër më të fortat në Evropë.

“Kur qytetarët hyjnë në dyqan, kur paguajnë faturat dhe shohin portofolët e zbrazët, e kuptojnë më së miri sa reale janë këto pretendime,” thuhet në reagim.

Nga kjo parti theksojnë se kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, duke iu referuar të dhënave të Enti Shtetëror i Statistikave, sipas të cilave çmimet e perimeve janë rritur me mbi 38%, frutat mbi 10% dhe çmimet në bujqësi rreth 23%.

Ata shtojnë se, ndërkohë që çmimet rriten, pagat mbeten të ulëta dhe standardi i jetesës po përkeqësohet.

LSDM gjithashtu pretendon se ekonomia është në rënie, duke theksuar ulje të investimeve, rritje të papunësisë dhe vonesa në rimbursimet e TVSH-së për kompanitë.

Sipas tyre, mungojnë masa konkrete nga qeveria për të përballuar krizën dhe për të mbrojtur standardin e qytetarëve./tvkoha.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *