Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë të cilit është konfirmuar bashkëpunimi tradicionalisht i afërt, miqësor dhe strategjik ndërmjet dy vendeve.
Sipas Mickoskit, në takim është shprehur kënaqësia e ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera politike, të cilat bazohen në respektin reciprok, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndërmjet dy popujve.
Në fokus të bisedimeve kanë qenë mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar, tërheqjen e investimeve të reja, si dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, arsimit dhe mbrojtjes.
Mickoski theksoi se Turqia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe politikë të vendit, duke nënvizuar përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një klime të favorshme për investimet turke dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, presidenti Recep Tayyip Erdogan riafirmoi mbështetjen e Turqisë për zhvillimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë te rëndësia e stabilitetit, bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajon.
Të dy liderët shprehën bindjen se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë do të vazhdojnë të zhvillohen me ritëm edhe më të fuqishëm në periudhën e ardhshme.
