Edhe pse sistemi shëndetësor në vend po digjitalizohet, librezat tradicionale shëndetësore vazhdojnë të përdoren nga qytetarët. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, përdorimi i tyre vazhdon për shkak se procesi për librezat elektronike është ende në gjykatë dhe nuk ka përfunduar.
“Pra librezat e shëndetësisë për fat të keq përdoren sepse me kartelat për fat të keq është abuzuar politikisht dhe procesi është ende në gjykatë, nuk ka mbaruar”, deklaroi Aliu.
Nga ana tjetër, kryetarja e Lidhjes së Mjekëve Amë, Lilija Çollakova Dervishova, thekson se sistemi i vjetër mund të hiqet gradualisht, por duhet patjetër një platformë e sigurt ku ruhen të dhënat mjekësore të pacientëve si alergjitë, terapitë dhe historia shëndetësore.
Ajo shtoi se digjitalizimi do të lehtësonte punën e mjekëve dhe pacientëve, duke shmangur nevojën për paraqitje fizike për receta dhe udhëzime.
Sipas saj, projektet e mëhershme për digjitalizim kanë ekzistuar, por nuk janë finalizuar ende, ndërsa theksoi se “qëllimi është në interes të pacientëve”.
Ministria e Shëndetësisë paralajmëron se me ndryshimet ligjore të fundit synohet përshpejtimi i digjitalizimit dhe kalimi gradual drejt evidencave elektronike të pacientëve.
