Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë pranuar tri raportet e para të analizave të ADN-së për mbetjet mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Kurtit, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave që lidhen me të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët u rrëmbyen më 19 prill 1999.
Familjet e viktimave tashmë janë njoftuar për identifikimin, ndërsa raportet janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore.
Në tri lokacionet e gërmuara në Kalludër dhe Jabukë janë gjetur më herët mbetje mortore që vlerësohet se u përkasin të paktën 23 personave. Procesi i identifikimit po vazhdon dhe priten edhe rezultate të tjera të analizave të ADN-së.
Kurti ka kërkuar gjithashtu nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar që të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve lidhur me personat e zhdukur dhe për hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave ende të pagjetur.
Familjet e personave të zhdukur kanë pritur për 27 vite për përgjigje mbi fatin e më të dashurve të tyre.
