“Këtë vit jam edhe e fejuara e tij” / Gazetari i njohur Arbër Zeka i jep fund beqarisë me propozimin magjik në Portofino për ditëlindjen e Gresa Bakraqit

Një tjetër lajm i bukur ka prekur rrjetin dhe skenën mediatike, teksa gazetari i njohur Arbër Zeka dhe atletja e shquar e Kosovës, Gresa Bakraqi, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me fejesë. Çifti ka ndarë këtë moment të veçantë me ndjekësit në rrjetet sociale përmes një sërë fotografish romantike nga Italia.

Propozimi romantik ka ndodhur gjatë një udhëtimi të tyre në bregdetin piktoresk të Portofinos, duke u shndërruar në dhuratën më të bukur në ditën e ditëlindjes së sportistes.

Në postimin e saj, ku shfaqet unaza e fejesës dhe momentet e ëmbla pranë detit, Gresa ka ndarë emocionet e këtij kapitulli të ri:

“Këtë vit, nuk jam vetëm vajza e ditëlindjes… jam edhe e fejuara e tij”, ka shkruar ajo krahas imazheve.

Arbër Zeka, i cili fitoi zemrat e publikut shqiptar vite më parë si fitues i edicionit të pestë të “Big Brother Albania” e më pas ndërtoi një karrierë të suksesshme në gazetari dhe media, ka nisur kështu një rrugëtim të ri jetësor krah njërës prej atleteve më të spikatura të vendit, mbajtëses së disa rekordeve kombëtare dhe përfaqësueses së Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.