Takimi në Hagë, Tahiri: Thaçi pret që Apeli ta shqyrtojë vendimin

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, pas aktgjykimit të fundit të Dhomave të Specializuara.

Tahiri ka shkruar se, pavarësisht vendimit, Thaçi ishte i qetë dhe me besim se çështja do të shqyrtohet në shkallën e Apelit.

“Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, ka shkruar Tahiri, duke e cilësuar vetë aktgjykimin si të padrejtë.

Sipas Tahirit, Thaçi u ka përcjellë përshëndetje qytetarëve që po marrin pjesë në protestat në Prishtinë, ndërsa ai ka falënderuar qytetarët për solidaritetin e tyre.

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator. Vendimi mund të kundërshtohet në Apel dhe procedurat e shkallës së dytë janë pjesë e procesit gjyqësor.