Granit Xhaka nën hetim në Zvicër

Prokuroria e Luzernit ka hapur një procedurë penale ndaj kapitenit të Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, lidhur me dyshimet për përdorim të një certifikate vaksinimi anti-COVID që mund të jetë lëshuar në mënyrë të parregullt.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, autoritetet po verifikojnë nëse dokumenti që dëshmonte vaksinimin e Xhakës ishte i rregullt dhe i vlefshëm.

Hetimi lidhet me një rast më të gjerë ndaj një mjekeje në Luzern. Ordinanca e saj ishte kontrolluar nga policia në vitin 2023, nën dyshimin se ishin lëshuar certifikata vaksinimi anti-COVID në mënyrë të parregullt.

Gjatë kontrollit, autoritetet kishin sekuestruar materiale që tani janë pjesë e hetimit.

Deri në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime dhe procedurë hetimore; përgjegjësia e Xhakës nuk është përcaktuar me vendim gjyqësor.