Një peshkaqen i tipit “dhelpër” është kapur në rrjetat e peshkatarëve në Borsh, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e banorëve dhe pushuesve në zonë.
Sipas peshkatarëve, peshkaqeni kishte një gjatësi prej afro 2 metrash dhe peshonte rreth 35 kilogramë. Ata bëjnë të ditur se kjo specie haset edhe në ujërat shqiptare, megjithëse raste të tilla nuk janë shumë të shpeshta.
Menjëherë pas nxjerrjes së tij në breg, dhjetëra persona janë afruar për ta parë nga afër dhe për të realizuar fotografi me kapjen e pazakontë.
Peshkatarët theksojnë se Deti Jon mbetet i pasur me specie të ndryshme detare, por shfaqja e peshkaqenëve pranë bregdetit vazhdon të ngjallë interes dhe kureshtje te publiku.
