Analisti Florian Nesimi ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke krahasuar retorikën e kryeministrit shqiptar Edi Rama me atë të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski.
Sipas Nesimit, Gruevski në të kaluarën akuzonte vazhdimisht kundërshtarët politikë për bashkëpunim me faktorë të huaj dhe diplomatë perëndimorë me qëllim rrëzimin e qeverisë së tij dhe dëmtimin e interesave kombëtare.
Ai vlerëson se një qasje e ngjashme po përdoret sot edhe nga Rama, i cili protestat dhe pakënaqësitë qytetare i ka cilësuar si pjesë të një lufte hibride kundër Shqipërisë, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë interesa të jashtme.
Në reagimin e tij, Nesimi thekson se paraqitja e vetes si viktimë e komploteve të huaja dhe njëkohësisht si mbrojtës i vetëm i shtetit është një strategji e njohur e liderëve me prirje autokratike.
Sipas tij, zhvillimet politike në rajon tregojnë se modeli i tillë i qeverisjes po përballet gjithnjë e më shumë me sfida dhe se epoka e liderëve autokratikë në Ballkan po i afrohet fundit.
