Erëra 142 km/h dhe breshër 6 cm, stuhia shkakton dëme të mëdha në Zvicër

Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me breshër ka goditur pjesë të Zvicrës perëndimore dhe veriperëndimore, duke shkaktuar dëme materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme në transport.

Sipas SRF Meteo, gjatë stuhisë janë regjistruar rreth 46 mijë shkarkime rrufesh, ndërsa në disa zona breshëri ka arritur deri në 6 centimetra në diametër.

Në Schaffhausen, erërat kanë arritur shpejtësinë deri në 142 kilometra në orë, ndërsa në Hallau janë regjistruar 23 milimetra reshje shiu për vetëm 10 minuta.

Ndër zonat më të prekura ishte Solothurni, ku autoritetet kanë pranuar më shumë se 200 raportime për dëme. Në autostradën A1, një kamion është përmbysur dhe ka përfunduar mbi një furgon.

Stuhia ka shkaktuar gjithashtu rrëzimin e shtyllave elektrike, dëmtime në çati dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor në disa zona.

Meteorologët paralajmërojnë se reshje të dendura dhe stuhi të tjera mund të përfshijnë edhe pjesë të tjera të Zvicrës.