“Bixhozi nuk u mbyll”, Taravari akuzon për mosmbajtje premtimesh

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari përmes një reagimi në rrjetet sociale ka theksuar se pushteti aktual ka mashtruar dhe manipuluar lidhur me premtimin për mbylljen e plotë të bixhozit dhe lojrave të fatit.

Ja postimi i tij:

Premtuan mbyllje të plotë të bixhozit, dhe nuk e realizuan. Sot po përpiqen ta shesin si “reformë” një ligj që parashikon vetëm 500 metra largësi nga shkollat, madje me zbatim të shtyrë deri në vitin 2028.
Akoma më skandaloze, ky kufizim nuk vlen fare për bastoret. Pra, bastoret vazhdojnë të mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë; pranë lagjeve, pranë fëmijëve dhe në rrugët ku kalojnë nxënësit çdo ditë për në shkollë.
Ndërkohë, bixhozi online jo vetëm që nuk mbyllet, por legalizohet dhe menaxhohet nga vetë shteti. Kjo nënkupton bixhoz në çdo celular dhe në çdo shtëpi, pa asnjë kontroll reale dhe pa asnjë mbrojtje serioze për të rinjtë.
Nga “lufta kundër bixhozit”, pushteti ka kaluar në administrim shtetëror të bixhozit. Kjo nuk është reformë. Kjo është mashtrim ndaj qytetarëve dhe tradhti ndaj premtimeve të dhëna”, shkroi Taravari.(INA)