Bilall Kasami: BDI për 20 vite u mor me përçarjen e opozitës shqiptare

Bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar se gjatë dy dekadave të fundit Bashkimi Demokratik për Integrim është fokusuar më shumë në përçarjen e kampit politik shqiptar sesa në ndërtimin e politikave për qytetarët.

Në “Vetëm intervistë” në Kanal 5, Kasami tha se krijimi i koalicionit VLEN ka ndryshuar skenën politike shqiptare dhe, sipas tij, ka detyruar BDI-në të zgjerojë bashkëpunimin me parti të tjera në kuadër të Frontit Evropian.

Ai theksoi se për herë të parë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale shqiptarët do të garojnë të organizuar në dy blloqe kryesore politike, duke shtuar se BDI, pas një periudhe të gjatë në pushtet, do të qëndrojë po aq gjatë në opozitë.

Duke folur për rikonstruimin e Qeverisë, Kasami u ndal edhe te Ministria e Kulturës, për të cilën tha se ishte një nga kërkesat e VLEN-it. Ai shprehu besimin se Sedat Sulejmani, falë përvojës së tij në këtë resor, do ta drejtojë me sukses ministrinë dhe do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të kulturës.