Bekim Sali ka njoftuar se sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut ka mirëpritur Bruno Cekën, përfaqësues të Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut.
Sipas Salit, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe diasporës shqiptare, me qëllim avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe fuqizimin e pozitës së tyre në vend.
“Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat më të forta të kauzës sonë kombëtare”, ka shkruar Sali, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-në dhe mbështetjen e proceseve demokratike.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të lidhjeve me diasporën dhe bashkëpunimit me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shqiptarët janë më të fortë kur janë të bashkuar, kudo që jetojnë. Bashkëpunimi me diasporën është një vlerë kombëtare dhe një garanci për të ardhmen tonë”, u shpreh Bekim Sali.
