BDI nuk po e përdor protestën për politikë, thotë Ademi: çdo qytetar është i mirëpritur

Bashkimi Demokratik për Integrim ka mohuar kategorikisht pretendimet se protesta e paralajmëruar nga studentët për mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe po politizohet nga kjo parti.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, gjatë emisionit “Debat në Shenja”, kritikoi koalicionin VLEN, duke i akuzuar për shpërndarje dezinformatash dhe për shmangie nga pjesëmarrja në protestë.

“Gjuha nuk duhet të na ndajë”, deklaroi Ademi, duke theksuar se mbështetje për protestën kanë dhënë edhe figura dhe parti të ndryshme shqiptare nga rajoni.

Ai përmendi emra si Ziadin Sela, Pandeli Majko, Marin Mema, Daut Haradinaj dhe Albin Kurti, duke theksuar se çështja e gjuhës shqipe duhet të bashkojë shqiptarët.

Sipas Ademit, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut  është zyrtare dhe ligji për përdorimin e saj është miratuar në vitin 2019.