Arrestohet shoferi nga Tetova, u kap me 177 km/h në rrugën Gostivar–Tetovë

Një shofer nga Tetova është arrestuar pasi është kapur duke lëvizur me shpejtësi shumë mbi kufirin e lejuar në aksin rrugor Gostivar–Tetovë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth orës 18:00, në afërsi të nyjës së Bogovinës, zyrtarët policorë nga Njësiti Mobil për Siguri në Trafikun Rrugor ndaluan një automjet të tipit “Škoda”, i cili, sipas radarit special “Interceptues”, po lëvizte me 177 km/h në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Me urdhër të prokurorit publik, është privuar nga liria shoferi K.B. (47) nga Tetova. Ndaj tij janë ndërmarrë procedurat ligjore dhe ai do të përballet me akuzat dhe sanksionet e parashikuara në nenin 297-a të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga MPB bëjnë të ditur se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjithë vendin, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të komunikacionit.

Autoritetet u bëjnë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut, për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në rrugë.